Një e drejtë e përhershme, jo një përjashtim
Qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit duhet të mund të regjistrohen dhe të votojnë me pasaportë ose kartë identiteti shqiptare të skaduar. Kërkojmë gjithashtu që regjistrimi për votim nga jashtë vendit të bëhet një herë dhe të mbetet i vlefshëm për zgjedhjet e ardhshme.
Në vitin 2025, qeveria e lejoi përdorimin e dokumenteve të skaduara me një akt të posaçëm për ato zgjedhje. Kërkojmë që Kuvendi të përfshijë si këtë mundësi, ashtu edhe regjistrimin e përhershëm të diasporës në Kodin Zgjedhor, përpara zgjedhjeve të vitit 2029.
Draft i propozuar për diskutim, jo tekst ligjor i miratuar. Të dyja dispozitat kërkojnë shqyrtim juridik përpara se të paraqiten si amendament.
1. Identifikimi me dokumente të skaduara Për qëllime të regjistrimit dhe ushtrimit të së drejtës së votës nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, qytetarët shqiptarë mund të identifikohen edhe me pasaportë ose letërnjoftim shqiptar të cilit i ka përfunduar afati i vlefshmërisë. Skadimi i afatit të dokumentit nuk përbën shkak për refuzimin e regjistrimit ose të votimit, kur identiteti dhe shtetësia verifikohen sipas procedurave të përcaktuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
2. Regjistrimi i përhershëm për votim nga jashtë vendit Qytetarët shqiptarë me vendbanim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë regjistrohen një herë për votim nga jashtë vendit. Regjistrimi ruhet për zgjedhjet e ardhshme, pa detyrimin për të paraqitur një kërkesë të re regjistrimi për çdo proces zgjedhor. Para çdo zgjedhjeje, zgjedhësi konfirmon adresën e tij jashtë vendit përmes një procedure të thjeshtë në internet të përcaktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve; konfirmimi i adresës nuk përbën regjistrim të ri. Regjistrimi për votim nga jashtë vendit hiqet automatikisht kur në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile shënohet vdekja e zgjedhësit ose kur verifikohet se zgjedhësi është kthyer të jetojë në Shqipëri. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përcakton procedurat e konfirmimit të adresës dhe të përditësimit të regjistrimeve në bashkëpunim me organet e gjendjes civile.
Ky draft nuk ndryshon ligjin në fuqi. Nënshkrimi i peticionit nuk shërben si regjistrim për votim apo si konfirmim adrese për zgjedhje.